Categories
SHOW BIZ

Përdhunimi si mjet lufte, ekspozitë në Nju Jork me foto nga Kosova

Në qytetin e Nju Jorkut, u hap të martën ekspozita me titull “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta”, e fotoreporteres së njohur Marissa Roth, që trajton temën e dhunës dhe përdhunimit si mjete lufte.

Një pjesë të madhe të fotografive të ekspozuara, gazetarja amerikane i realizoi në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, fituesja e çmimit Pulitzer flet mbi vështirësitë dhe misionin e projektit të saj. Të pranishme në hapjen e ekspozitës ishin edhe të mbijetuarat e luftës në Kosovë, Vasfije Kransiqi-Goodman dhe Besarta Jashari. Siç njofton kolegu Burim Goxhuli nga Nju Jorku, ato folën mbi domosdoshmërinë e vënies para drejtësisë të autorëve të krimeve ndaj tyre.

Për 38 vite, fotoreporterja amerikane, fituese e çmimit Pulitzer, Marissa Roth, realizoi në mbarë botën fotografi me gra që u mbijetuan krimeve të luftës, përmes së cilave solli historitë rrënqethëse të këtyre grave.

Një pjesë e fotografive të saj u shfaqën në ndërtesën e Rusveltit në Nju Jork, në kuadër të një ekspozite të realizuar nga Muzeu i Tolerancës i qendrës “Simon Wiesenthal” dhe nga organizata “Rally for her justice”.

Shumë prej fotografive në ekspozitën e titulluar “Një grua duke qarë: Gratë dhe Lufta” janë realizuar në Kosovë.

Kam parë gjëra që do të doja të mos i shihja kurrë, por nuk mund t’i fshij nga kujtesa. Mundohem që të përfshihem me zemër dhe pastaj të tregoj e ritregoj këto histori. Ato më pikëllojnë por ndjej se përmes këtyre historive mund t’i tregoj botës atë që ka ndodhur. Kjo është mënyra ime për të treguar se sa të forta dhe të guximshme janë këto gra. Them se jam aktiviste e paqes dhe se kjo është mënyra ime e të thënit se mjaft është mjaft”, thotë zonja Roth për Zërin e Amerikës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 qershor.

Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe një panel diskutimi ku mori pjesë aktivistja dhe e mbijetuara e përdhunimit gjatë luftës së viteve 98-99 në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman.

Ajo tha se lufta në Ukrainë është tregues i qartë se historia mund të përsëritet, nëse nuk mirren masat e nevojshme për të parandaluar këto krime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.